Skip to main content

Më jepni një përrallë...


Do të ec këmbë-zbathur në kopshtin e jetës, stolisur me gjerdanë lulesh vjollcë, do të shtrij duart të mbaj në krah një kotele dhe në stolin e shpirtit do të dremis ëndrra.

Vec më jepni një përrallë...
Do të ndërtoj kështjellën e zemrës me gurë të fortë e themele prej shpirti, në muzg do të luaj muzikë në piano e në ajër do të ndizen 1000 aroma, vec më jepni një përrallë.

Jepmëni një hyrje, një rikthim në ditët kur ende kishin kuptim fjalët, në ditët kur pritjet ishin ankthi më i ëmbël e përqafimet bëheshin streha e sigurtë. Rikthemëni në ditët me diell ku netët bëheshin ëndërrimtare, në kohën e melodive italiane e në ekzistencën e dashurive të pastra. Lermëni një ditë aty, të prek edhe njëherë tablonë e jetës, të bëhem vizitore e të mos ja ndaj sytë ngjyrave mbetur brenda një kornize të kthyer në kujtim, kohës së lumtur.



Më tregoni se si ende rrahin zemrat... ato të dobtat, që rrugës nuk u ndalën kurrë, të etura der në dhembje për të shkulur nga vetja edhe grahmat e fundit të jetës, tregomëni tik-takun e fundit para se akrepat të puthen, më jepni një përrallë.

Do të hesht para hyrjes “na ishte njëherë”, lotët do të rreken pa një pse, koha do të zbusë dhimbje e kujtimet do të ngjiten lart si balona, perden e mëndafshtë të shfaqjes do t’a mbyll me sy, do të duartrokas në emër të shpirtit që lashë pas e në përuljë të kohës ku zemra njihte zemrën, do t’ju kërkoj të merrni një përrallë për veten.

Të jetoni ditët mbi një tapet të kuq flakë, të frymoni thellë duke mbushur zemrën, të mblidhni trëndafila e të shpoheni nga gjëmbat, duke shkruar ditë pas dite përrallën tuaj. Deri në fletët e fundit të saj, të zhgarravisni edhe lotët e dhembjes, të përktheni me gërma se cdo të thotë edhe triumf zemrash, derisa mbërritja në kopshtin përreth të të presë me një stol...
Mos e shtrëngo zemrën fort, prit të bjerë nata, ajo është e sekreteve. Misterit të saj vishi yjet e rrëfehu, thuaji jetova e zhvishe natën nga frika sepse drita më e fortë është aty thellë në shpirtin tënd...


Më jepni vec një përrallë e jetës do t’i fle në stol duke pëshpëritur: na ishte njëherë...

Comments

Popular posts from this blog

Më thuaj dicka…

Më thuaj dicka që nuk di për ty, nga ato rrëfimet e vogla që të shpëtojnë në një bisedë të ngushtë. Nga ato mbrëmje ku në cepin e tavolinës rri heshtur cepi i mbetur i hënës dhe ti dergjesh në fjalë që kurrë më parë nuk i ke thënë. Me fytyrën që merr dritë e sytë që ndryshe shfaqen kur flasin për ndjesitë që vec ty të përkasin. Më thuaj si është të të duan e jo vetëm kaq, ma trego! Më trego si merr ngjyra fytyra ime kur të shoh, ma thuaj me fjalë si është kur të përqafoj e të lë shpirtin aty, cfarë ndizet tek ti e sa emocione ndjen. Më thuaj dicka që ende nuk ta njoh, fytyrën tënde pas një largimi, dëshirat që të lindin aty për aty në një moment të brishtë, si marrin formë tek ti gjithë format e shpërndara për ti dhënë jetë zemrës? Unë e di që të duash është njësoj si të flasësh për veten, ngushtësisht personale, se si të ta them, kur përqafoj veten, si të shpjegoj ndjesinë e lëkurës time? Duke të të dashur ty, mësova se qënkam egoiste. Duke mbrojtur ëndrrat e tua, lulëzova në pë...

…dikur ëndërroja!

Dhe ishin flluska të vogla që përhapeshin në ajër e gjenin rrugën të shpërthenin në diell. Unë vazhdoja të mbetesha njësoj, me dëshira për ty që i shkruaja me ngjyra në shpirt. Kur të mora në krahë momentin e parë, nuk e di a kishim qënë gjithmonë pjesë e njëra tjetrës apo kishim jetuar një jetë të ndarë e tani u ritakuam. Kam qarë për ty, sa shumë e ndjeva frymën tënde! Rrugë e gjatë udhëtimi ynë, që nga dëshira e deri në ëndrrat që merrnin jetë me ty, cdo ditë. As nuk e dija se sa besnike do ishim ndaj njëra tjetrës në betimin e heshtur për tu parë sy më sy e për të rënë në dashuri me shikim të parë. Ti e jetësuar për ti dhënë zë gjithë mendimeve që sa herë vinin si mysafirë gjenin një tryezë plot më ngjarje që trilloheshin bukur nga dëshira për të të patur. Ti erdhe në jetë dhe bashkë me ty morën jetë të gjithë frikërat e mia! U gjenda e papërgatitur, për lotët e tu, për kërkesat e tua, për netët e tua pa gjumë, për veten! Unë nuk isha gati të isha ajo që ti mendoje dhe këtë e...

Fuqia e Fjalës!

Fjalët janë të fuqishme. Pak gjëra duhen për  të ndriçuar ose për të dëmtuar dhe fjala padiskutim është si një gjuajtje në shenjë për shumë situata dhe individë. Përpiquni të mos bëni gabime me fjalën, janë si një armë vdekjeprurëse. Luftërat kanë filluar me fjalë, prej fjalës e më pas prap prej tyre kanë përfunduar. Kam njohur  njerëz të cilët janë të gatshëm të ndajnë ndjenjat e tyre më të brendshme, nevojat, frikën, shpresat dhe ëndrrat ... nëpërmjet fjalëve. Pa aftësinë për të vënë fjalët së bashku për të formuar mendimet tona, ne jemi të humbur. Mungesa e fjalëve mund të jenë shkatërruese. Shumë marrëdhënie janë humbur nga pamundësia e një partneri/e që kanë mungesë vullneti për të folur gjërat midis njëri-tjetrit, por zgjedhin rrugën e shkurtër, heshtjen. Më duket shumë interesant fakti se  kur i bërtasim fjalët tona, ato kanë tendencën të humbasin fuqinë e tyre; pak ironike kur e konsideron se duke pëshpëritur ato nuk do të jenë aq në vëmëndje të...