Mëndja gjithëkund rrotullohet përvecse
në gjëra të padëshiruara, ashtu më erdh ndjesia që i lamë ne të dy heshtjes së
largimit e pluhurit të mallit ngritur ndërmjet, unë edhe ti, që dikur ishim të
pandarë e lotëve në sy u shtuam premtimin përgjithmonë.
Ne i grisëm gërmat e fjalës përgjithmonë,
fjala “gjith” mbeti si një peng në copëzën që më rrëshkiti nga duart, njësoj si
e pabindura zemër. Mjaftueshëm zjarr, mjaftueshëm
shi, derisa u dogjën dhe u shuan zemrat brenda një natë. U shkulën rrënjet e
shpirtit e peshë u ngritën lotët, nuk dija më nëse të urreja apo thjesht për
dreq të doja, të doja fort.
Një ditë më shumë në pritjen e
shfaqjes tënde, një fije shpresë e fikur aty për aty, një ditë më
shumë në zgjim me sytë mbetur peng në ekranin e telefonit, një fije shkrepse
ndezur fikur në cast, këtë fragment sekondi ma përkthen pasqyra në një shikim.
Falmë, i thashë vetes kur ja pulita sytë fshehurazi. Vetja është mikja dhe
armikja më e pastër, ai shikim që më tradhëton e më vesh po prap me besim, falmë
prap, vetja ime.
Falmë që të hidhërova kaq fort.
Falmë që shpirtit tënd të bukur i
dhashë kaq trishtim, nuk kam dashur asnjëherë të të dua më pak se të tjerët.
Bën diell dhe rrezet pak nga pak
guxojnë të gjejnë prehje për në skutat e zemrës, unë ende ja kam frikën, nuk jam
përmirësuar, as nuk jam rritur, thjesht u bëra e fortë, fuqinë e gjej cdo ditë
teksa kërkoj me ngulm të ngrihem edhe pas rrëzimit, e më fort dua pas lëndimit.
Një ditë do të të tregoj sesa dashuri prej shpirti mund të japë sërisht një zemër
e thyer, po deri atë ditë do vazhdoj të dua veten me shpresën se edhe ti do t ë mësosh prej meje...
Vetja ime, mbaji sytë hapur të
mirave të botës, trishtohu pak e kur të lumturohesh gëzoju jetës, gabohu dhe
mos ndjej pendim, mos i ngarko shpinës së ditëve të tua lot... ti bart një pikë
të dobët që ndërmjet të gjallëve i thonë shpirt! Falmë që të shkunda prej butësisë
tënde, ja kam patur frikën lumturisë e kam shtrënguar dhëmbët kur e kam jetuar.
Natës ja rrëfej sekretet, dëgjuesja
ime e heshtur, njëmijë fjalë t'i them vec me sytë drejtuar hënës, lundroj në ty
me gjithë zemër, vetja ime dashuri!
Comments
Post a Comment