Skip to main content

Shihemi në ëndërr!

Dhimbja më shtriu dorën... se di pse ja zgjata si për ta ndihmuar, ajo më tërhoqi pas vetes! Si një viktimë e denjë u dergja rrugës së saj, si mjegull ja mbaj mend fytyrën.

Më përqafoi nxirja e qiellit dhe nuk munda të ikja, po ashtu me kokën këputur prej trishtimit, lotoja në kraharohin e saj. Qaja, qaja e me atë pak forcë doja të shkëputesha. I ziu qiell  më kish zgjatur duart për të mos m'i lënë kollaj. Kërkova ngultaz të dija një të vërtetë, që ishe ti ai që më përqafoje prej lart, e dija, e dija fort mirë që vec ti kishe forcën të ma mbaje shpirtin peng. Ndër duar vec gjakut që gëlonte në vena, gurgullonte një shpresë e ethshme, me vete thoja: do të më shohë mua e do të zgjohet, vetëm unë edhe ai kishim aq fuqi ndërmjet njëri tjetrit! Tani vetëm unë dhe ai kemi forcën të bëjmë qiell e tokë bashkë sot.



Sa gërma më mbetën pathënë, sa ditëlindje e sa fjalë kisha ruajtur për ty në sundukun e thesarëve që vec ty të përkasin. Më ke lënë një dekoratë jete, atë të krenarisë së bijës shpirt lumtur. Më ke lënë veten tek unë!  Më ke lënë gjithësinë. Ndërsa unë të kam dhënë me vete shpirtin tim, ai nuk vdes kurrë.

Do të ishte ditë e dielë, kafen prap bashkë do t'a konsumonim, do të visheshim të dy njësoj si përherë e ti me sytë qeshur do të përsërisje edhe njëherë refrenin tonë, ti je goca babit. Shoku im ti, prap në kafe do më gjesh të dielën, do të porosis dy si gjithmonë, një për vete një për ty, do të bëjmë foton tonë të zakonshme e do të diskutojmë për pasione e gjëra që na gëzojnë! Do të debatojmë e në fund do të mbajmë edhe inate e ti si përherë do më vish prap me 1000 copëza lumturie që të shkëlqenin në sy, do më vish atëherë kur më së shumti do të të dua e si gjithmonë do t’i gëzohesh vendimeve të mia!
Do të doja të më kishe thënë njëherë jo, të më kishe kundërshtuar për kaprico e për teka të kota, do të doja njëherë të vetme të guxoje të vije veten në vend të parë, por në gufimin e rrahjeve të zemrës fryhej vec dëshira për të më bërë të lumtur…

Është një libër aty, ti e preke me krenarinë e pashoq të zemrës plot së babait të lumtur. Qershorit tim, i dhe dimension tjetër, qershori im nuk është më njësoj, qershori im u bë i yti! Ditëlindjet e mia nuk do të jenë më të njëjtat, ti nuk do të vish si cdo herë për të më zgjuar e uruar i pari, ti nuk do garosh me mamin për të më dhënë bekimet, ti nuk do të vish më tek unë, sepse tashmë ti je me mua në cdo hap që bëj, ti je e hëna ime, zgjimi, hapat, të shtunat, të qeshurat, ti me aureolën tënde ecën me mua! E ndjej se si qesh fytyra jote bashkë me qiellin, asnjëherë nuk do të shoh me sytë lart duke lotuar, m’a ke lënë zemrën plot dhe të vetmin thesar që e kam kycur me premtimet, është se do të jem e lumtur, sepse e di, e di fort mirë që lumturia ime është gjithë jeta jote!

Shihemi në ëndërr, vetëm aty takohen shpirtrat e lënë peng!

Përgjithmonë e vogla jote…

Comments

Popular posts from this blog

Më thuaj dicka…

Më thuaj dicka që nuk di për ty, nga ato rrëfimet e vogla që të shpëtojnë në një bisedë të ngushtë. Nga ato mbrëmje ku në cepin e tavolinës rri heshtur cepi i mbetur i hënës dhe ti dergjesh në fjalë që kurrë më parë nuk i ke thënë. Me fytyrën që merr dritë e sytë që ndryshe shfaqen kur flasin për ndjesitë që vec ty të përkasin. Më thuaj si është të të duan e jo vetëm kaq, ma trego! Më trego si merr ngjyra fytyra ime kur të shoh, ma thuaj me fjalë si është kur të përqafoj e të lë shpirtin aty, cfarë ndizet tek ti e sa emocione ndjen. Më thuaj dicka që ende nuk ta njoh, fytyrën tënde pas një largimi, dëshirat që të lindin aty për aty në një moment të brishtë, si marrin formë tek ti gjithë format e shpërndara për ti dhënë jetë zemrës? Unë e di që të duash është njësoj si të flasësh për veten, ngushtësisht personale, se si të ta them, kur përqafoj veten, si të shpjegoj ndjesinë e lëkurës time? Duke të të dashur ty, mësova se qënkam egoiste. Duke mbrojtur ëndrrat e tua, lulëzova në pë...

…dikur ëndërroja!

Dhe ishin flluska të vogla që përhapeshin në ajër e gjenin rrugën të shpërthenin në diell. Unë vazhdoja të mbetesha njësoj, me dëshira për ty që i shkruaja me ngjyra në shpirt. Kur të mora në krahë momentin e parë, nuk e di a kishim qënë gjithmonë pjesë e njëra tjetrës apo kishim jetuar një jetë të ndarë e tani u ritakuam. Kam qarë për ty, sa shumë e ndjeva frymën tënde! Rrugë e gjatë udhëtimi ynë, që nga dëshira e deri në ëndrrat që merrnin jetë me ty, cdo ditë. As nuk e dija se sa besnike do ishim ndaj njëra tjetrës në betimin e heshtur për tu parë sy më sy e për të rënë në dashuri me shikim të parë. Ti e jetësuar për ti dhënë zë gjithë mendimeve që sa herë vinin si mysafirë gjenin një tryezë plot më ngjarje që trilloheshin bukur nga dëshira për të të patur. Ti erdhe në jetë dhe bashkë me ty morën jetë të gjithë frikërat e mia! U gjenda e papërgatitur, për lotët e tu, për kërkesat e tua, për netët e tua pa gjumë, për veten! Unë nuk isha gati të isha ajo që ti mendoje dhe këtë e...

Fuqia e Fjalës!

Fjalët janë të fuqishme. Pak gjëra duhen për  të ndriçuar ose për të dëmtuar dhe fjala padiskutim është si një gjuajtje në shenjë për shumë situata dhe individë. Përpiquni të mos bëni gabime me fjalën, janë si një armë vdekjeprurëse. Luftërat kanë filluar me fjalë, prej fjalës e më pas prap prej tyre kanë përfunduar. Kam njohur  njerëz të cilët janë të gatshëm të ndajnë ndjenjat e tyre më të brendshme, nevojat, frikën, shpresat dhe ëndrrat ... nëpërmjet fjalëve. Pa aftësinë për të vënë fjalët së bashku për të formuar mendimet tona, ne jemi të humbur. Mungesa e fjalëve mund të jenë shkatërruese. Shumë marrëdhënie janë humbur nga pamundësia e një partneri/e që kanë mungesë vullneti për të folur gjërat midis njëri-tjetrit, por zgjedhin rrugën e shkurtër, heshtjen. Më duket shumë interesant fakti se  kur i bërtasim fjalët tona, ato kanë tendencën të humbasin fuqinë e tyre; pak ironike kur e konsideron se duke pëshpëritur ato nuk do të jenë aq në vëmëndje të...