Është kaq e madhe si fjalë
e në dinamikën e jetës mendoj se nga të paktat gjëra që mbetet e
pandryshueshme, është ajo copëz magnet që na mban shtrënguar edhe të nesërmen.
Në ato mendime të qarta e
të kthjellëta mëngjeseve i shtroj vetes dilemën, po përpiqem të arrij diku apo
thjesht po përmbushim një premtim? Të mbash fjalën e dhënë... të thuash një
fjalë e cila pritet të formësohet në një kohë të caktuar ose në rastin më të
keq, të mos marri kurrë formë. Premtimet herë herë edhe na gënjejnë për një të
nesërme që as unë as ti nuk e dimë nëse do të vijë...
Por dreqin, dreqin, çfarë
droge për shpirtin që janë. Njësoj si ty, edhe unë kam varësi ndaj tyre, bindshëm
madje them, nuk do të hiqja kurrë dorë prej tyre, përbëjnë atë lloj shtyse që në
ditë të caktuara të më shtyjnë të sfidoj edhe veten për hir të tyre...
Ka lloje të ndryshme
premtimesh, nga ato më të voglat e deri tek ato që mund t'i quaj pranga, që të
mbajnë mbërthyer por të shtrëngojnë e të dhëmbin, të ulin kryet e të vjedhin
lot, këtyre të fundit i druhem fort. Viktimat e denja si unë janë të shumtë, je
ti, është ajo, jemi ne që ja njohim prej në rrënjë thelbin e një fjale të dhënë.
Nuk do ishte e lehtë të guxoje për një premtim, është deklaratë e fortë të
zotohesh për të bërë diçka.
T'i përmbahesh fjalës së
dhënë përben një kuptim special, sepse do të thotë që premtimi nuk mbeti në një
mendim por doli jashtë saj e të bëri të ecësh në atë rrugë të cilën ende pa e
ditur se si do të ishte, u zgjove e shtrëngove dhëmbët e bëre hapa cdo ditë!
Gjatë rrugës, fjalët mund të ndryshojnë, por asnjëherë rëndësia e tyre. Pesha që
rëndojnë, është forca më e madhe në shpirtin e dikujt.
Sa herë kam premtuar, kam
ndjerë një lloj krenarie së brendshmi sepse mendoja që dikush ka aq besim te unë
sa më beson dicka që mund t'i ndryshojë edhe jetën, edhe jam përpjekur fort që
të mos zhgënjej askënd. Pa fjalën jam asgjë, humbas integritetin njerëzor, do të
humbisja kredibilitetin, do të prishja ëndrrat e dikujt, do të humbisja
reputacionin social... do të isha një peshë e rëndë e pavlerë ndjesish negative
e shijeje të hidhur!
Ndaj ja kam frikën
premtimeve, madje do të të doja të mos i dëgjoja nëse janë si një kuti boshe e
mbështjellë në fjongo. Një paketë e tillë do të më mbante shpirtin pezull e
derisa të zgjidhja atë kuti, të cilin do e prisja me ankth, do të më zbrazej
zemra prej kotësisë.
Nëse nuk mundesh, mos
thuaj! Premtimi
peshon tepër rëndë, nëse nuk mundesh, mos u zoto se e mban, do të të thyejë e
do të të kërrusë. Mos më premto hënën, por më thuaj se ulur me ty, prej dhomës së
gjumit, yjet edhe mund t'i numëroj, e të ruaj me sy nëse bie ndonjë i tillë për
dëshirat e tua.
Comments
Post a Comment