Lotëve nuk i druhem më, nuk është turp të ndjesh. Kam frikë
vetëm prej gjërave të vogla që lehtësisht flladi i rrëmben, momenteve që
shuhen, kujtimeve që zhduken, njerëzve që ikin! Ndjesitë janë të tilla, nëse të bëjnë të derdhësh lot gëzimi,
të emocionojnë, të vjedhin një dridhje të buzës, lëri ashtu dhe mos u sforco të
ndrydhësh atë që të përket, shpirti është vetjak, mos ki frikë nga sytë e botës,
nuk është turp të ndjesh.
Dikur druhesha të qaja në publik dhe ndrojtja më mvishej
edhe më fort kur me ngulm përpiqesha të kontrolloja këtë ndjesi, ndërsa tani,
nuk kam frikë të qaj! Nuk më bën më pak femër as nuk më tregon të dobët, në fund të
gjithë qajmë...
Në një moment të vetëm do të gjesh veten të veshur me petkun
e rëndë të trishtimit, lëre veten të lirë e nëse të bën të mblidhen lotët në
grykë, mos ki frikë t'i bindesh atyre. Askush nuk do t'a dijë se sa të fortë të
bën ai moment, askush nuk do të shohë në buzëqeshjen e të nesërmes, trishtimin
tënd të djeshëm, sepse ti ke kaluar një urë, është ritmi i zemrës që sapo ka
pranuar se ti je një njeri plot ndjesi.
Është një stuhi për shpirtin dhe ajri bëhet më i freskët,
mendimet janë të rrëshkitura ndër faqe dhe faji ka rënë përtokë, lotët sapo të
kanë sjellë ndryshimin, si një shi vere, kanë pastruar dhimbjen. Lotëve nuk i druhem më, nuk është turp të ndjesh. Kam frikë
vetëm prej gjërave të vogla që lehtësisht flladi i rrëmben, momenteve që
shuhen, kujtimeve që zhduken, njerëzve që ikin! Unë jam yjet netëve, më gjen në dëshira të pashuara dhe në ëndrra
që presin të zgjohen, jam dielli pas shiut, sepse ndjesitë janë të tilla kurse shpirti
është vetjak, mos ki frikë nga sytë e botës, nuk është turp të ndjesh.
Comments
Post a Comment