Është kaq e madhe si fjalë e në dinamikën e jetës mendoj se nga të paktat gjëra që mbetet e pandryshueshme, është ajo copëz magnet që na mban shtrënguar edhe të nesërmen. Në ato mendime të qarta e të kthjellëta mëngjeseve i shtroj vetes dilemën, po përpiqem të arrij diku apo thjesht po përmbushim një premtim? Të mbash fjalën e dhënë... të thuash një fjalë e cila pritet të formësohet në një kohë të caktuar ose në rastin më të keq, të mos marri kurrë formë. Premtimet herë herë edhe na gënjejnë për një të nesërme që as unë as ti nuk e dimë nëse do të vijë... Por dreqin, dreqin, çfarë droge për shpirtin që janë. Njësoj si ty, edhe unë kam varësi ndaj tyre, bindshëm madje them, nuk do të hiqja kurrë dorë prej tyre, përbëjnë atë lloj shtyse që në ditë të caktuara të më shtyjnë të sfidoj edhe veten për hir të tyre... Ka lloje të ndryshme premtimesh, nga ato më të voglat e deri tek ato që mund t'i quaj pranga, që të mbajnë mbërthyer por të shtrëngojnë e të dh...