Edhe kur ti më jep të gjitha arsyet e botës për të ikur, mos
më lësho dorën, shtrëngomë e rrotullomë aty ku dritat mbulojnë qytetin, aty ku
bën ftohtë dhe avuj lëshojmë kur flasim, aty ku bën më shumë dhjetor se në zemrën
tënde!
Duaj dhe sytë do të marrin formën e yjeve, në të gjitha netët
e zhurmshme ku mbi një fotografi të vjetër do të derdh lot të rinj...
E pranoj, jam një udhëtare pa biletë, por jam një skllave e
dëshirave të mia, më këputen këmbët kur në heshtje gërmat renditen vetvetiu në
kokë e formojnë adresën tënde! Gjithmonë një dhe i vetëm më mbeti një premtim i pa-mbajtur, në
sytë e njëri-tjetrit të flisnim jetë, të gjallë, nga ajo shpërthyesja që ndodh
një herë dhe aq… kjo rrugë vrazhdësie që prek shpirtrat tanë nuk ka më
buzëqeshje, i janë tretur të gjitha molekulat e lumturisë, vec unë përpiqem t’i
jap jetë edhe njëherë!
Zëri im ngjan lutës, sikur thotë, duro edhe pak, koha është dorë
për dore me mua dhe ty, ajo na do, qëndroji afër dhe mos e lër të ikë pa një
dozë të qeshurash! Duaj dhe gishtat do të formojnë një zemër në avullin e
formuar në xham! Më thuaj pak cfarë vogëlsie ta ka pushtuar shpirtin që nuk të
lë t’i japësh një emër gjithësisë që na ka rrethuar si aureloë e qielltë? Besoj
fort se në jetën tënde e në jetën time ka lënë shenjë boshësia e largimit,
si njollë e pafshirë, lënë cepit të dhomës, që sa herë e sheh, thua me vete, më
duhet ta heq…
Por nuk e bën kurrë, ashtu si ne bëjmë me jetët tona, edhe
kur kemi gjithë arsyet e botës për të ikur, nuk ja lëshojmë dorën njëri
tjetrit, më shumë afrohemi në vallëzim, më shumë dashuri nën dritat e qytetit,
aty ku bën dhjetor në ajër e bën verë në shpirt!
Një violinë rrugicës plot zbukurime, flet tinguj të padëgjuar
asnjëherë, fytyrës time i vishet një buzëqeshje melankolike, ti dominon rrugën
time, të dy bëjmë një hije të madhe që në ecje nuk e mbërrijmë kurrë, ky
fragment më ngjan si deja-vu, më trullos, më jep shijen e një fotografie të
vjetër…Si në një kujtim mbi të cilin derdh lot të rinj…
Comments
Post a Comment