Përtej vetes, të duash dikë fort, ti japësh zemër prej zemrës e me përqafim ti
thuash, je botë!
Përtej kohës, të qëndrosh aty, në ditët e ngrohta të verës e
në trishtimin e ditëve gri e në përvjetore të cdo viti plot gojë të shquash, ti
ishe aty, je edhe tani!
Pas një fluturimi, të zbresësh me zemrën plot ankth, të
ndjesh se dikush aty jashtë të pret, e duke derdhur një lot ta puthësh e në sy
ti thuash, larg nuk të jetoj dot!
Përtej dhimbjes që dikush të ka shkaktuar, fale, jepi
mundesinë të ndjejë peshën e fajit, jepi dhe një dorë për ti thënë, unë nuk jam
si ti! Unë jam e përbërë me molekula të një ajri me dashuri, nuk jetoj dot në
hapësira si e jotja...
Përtej një bisede me një fëmijë tre vjecar,nga ato të
sinqertat, me pyetjet më naive në botë, me përqafimet më të ngrohta, ndjej se
sa vlerë ka një shpirt i lumtur, i derdhur në globin e mëndjes së tij... Pas një dite të lodhshme, ruaj një kujtim të mirë, jo të
gjitha frymët janë kundër erës tënde, mendo se është vlerë të thurësh të mirat
e të këqijat bashkë, një ditë do të të duhen të gjitha!
Kur të takosh një mik që në shpinë mbart dhimbje, jepi një
buzëqeshje, duaje të dobtin, përqafoje dhe thuaji, nuk je vetëm! Një zemër si e
tij ka aq shumë dashuri për të dhënë...
Kur të zgjohesh, mendo njëherë se sa fuqi ke të ndryshosh
jetën e dikujt, shkruaj dicka të bukur, jepi vlerë një dite me diell, dërgo një
buqetë lule, fto dikë për një caj, dhe ndjej se sa bukur është të japësh nga
vetja atë që venitet pak nga pak mes të gjallëve, dashurinë!
Përtej shpresës... Ki durim!
Përtej ëndrrës... Ki besim!
Unë edhe ti mundemi, dimë të jemi të lumtur për njëri
tjetrin, ne duam, në thelb jemi kapakët e një libri të përbashkët, jemi fletët
e një romani! Përtej kohës, mos nxito! Ka gjëra në jetën time e tënden që vijnë atëherë kur më së
paku e presim, ka jetë qe ndizen në njëmijë shkëndija kur unë edhe ti kemi shkëputur
cdo fije shprese. Ka një rikthim, kur shpinën i kthejmë njëri tjetrit!
Përtej të gjithave, duaj! Është i vetmi thesar që celësin unë edhe ti ja mbajmë në duar!
Një mrekulli bërë prej fjalësh...❤
ReplyDeleteTe perqafoj 🌹
Delete