Gjatë kam menduar se mund të lexoja deri diku shpirtrat e
njerëzve që më rrethojnë, po ja që paskam gabuar. Njeriu bart brenda vetes
gjithë misteret e botës, po ku për dreq fiks këto thesare gjejnë të fshihen në
thellësinë e njerëzve të mi.
Akullnajat dhe masat e ngurta të ftohtit i kam pasur frikë
gjithnjë, njësoj më ka ndodhur edhe me njerëzit, atyre që kurrë nuk u qesh
buza, i kam ikur me heshtjen olimpike të një zonjushe nordike bjonde...
Ja kam frikën njerëzve pa emocione, atyre hijeve dykëmbëshe
që ekzistojnë dhe kaq, dhe për kaq pak bëjnë dëm... Atyre që në sy u flet e ulëret
zilia, atyre të ligëve, të vegjëlve, që më mbledhin në grykë edhe ditën më të mirë!
Sa kushton t'u clirosh ju? Sa ditë me diell ju duhen për të
shkrirë zemrën, sa zemra duhet të thyeni për të ndalur krisjen e fytyrës? Edhe
sa herë të tjera me shpirtin tënd karbon do të ngjyesh gishta njerëzish, më
thuaj a të vjen keq për veten?
Thellë ndjej ndonjëherë se jam e keqe, se ju gjykoj, e në
fakt shumë herë kam tentuar të zbus të egrën që fle brenda jush po nuk kam
mundur kurrë, me hijen e një njeriu të drunjtë nuk kam guxuar kurrë të ulem përballë
një filxhani caji e të qesh prej shpirti. Ju m’a trembni orën, jam frikacake, po
po, e denjë për ta thënë gojë-plot, të ligës i tutem fort!
Unë nuk kam guxuar kurrë të jem tjetërkush, e dua të vërtetën
duke nisur nga mendimi më bazik e deri tek të idhtat që shumëkush nuk do të
donte t’i dëgjonte, kam ulur kokën e jam larguar në momente kur vërtet është
dashur t’a bëj, jam tretur shpirtërisht kur kam njohur zemra boshe, jam bërë
fobike ndaj syve që nuk flasin asnjë gërmë, kam përjetuar ndjesi që i urrej, të
jesh tepër…
Të duash është tepër në një botë si e jotja, në timen vlen
ende mishërimi i të vjetrës në botën e këtushme, këtë të sotmen, që një njeriu
të ngurtë e të ftohtë si ti, nuk ja bart dot zemra…
Më fal, por, qënkam gabuar, në këtë dimrin tim bën ende verë…
Comments
Post a Comment