Ke ndezur tek unë në formë fishekzjarresh edhe njëherë gjithë vrullin e heshtur të kohës. Më ndjen edhe ti prej kudo që ndodhesh. Vlojnë në ajër gjithë protonet dhe marrin siluetën e zemrës. Kapem fort pas litarit në balonën e dëshirave që sapo e lëshoi puthjen me tokën.
Pasagjerë nuk ka më në stacionin e nisjes, hije
zbrazur është edhe mburoja e ulëseve në pritje. Rrotulloj në duar dy medaljonë që dikur na përkisnin. Puthja e tyre lë shenjë...
Shi nuk bie po unë vazhdoj të jem e bindur se koha është si
unë, e ndryshueshme, fiks atëherë kur nuk e pret, në sekondë qiell i kaltër, e
në tjetrin gri e stuhi. Më vjen të zhytem drejt e në thellësitë e shikimit tënd, prej këtu ku ndodhem, edhe deti ta ka zili qartësinë e tyre.
Duart i kam plot fjalë mbledhur në heshtje, dhjetori po vjen
prap… Nuk prita më gjatë, u nisa rrugës për tek ti!
Ti ke gjithë gjërat që unë pëlqej, e me gjithë ngjyrat m'a
ke marrë duarsh mëndjen!
Të dua kur qesh e kur mërzitesh, kur lëndohesh e kur nuk
pranon të dorëzohesh, kur nuk kërkon ndihmë por mbështetesh kokë e shpatull mbi
mua për të rigjetur dhe njëherë qetësinë.
Falë zotit nuk je si unë...
Që të pikturoj e të lë cepave të shtëpisë, të marr përdore e
të shpie sdi se ku, unë jam rivalja dhe mikja e vetes time, jam brenda e jashtë
vetes njëkohësisht, të rrotulloj botës në harkun e një kërcimi e të lëshoj
duarsh... Që jam e ftohtë e digjem për ty, që bëhem një pauzë sa një torturë, ajo që
ndryshon e prap kthehet e njëjtë, që gënjej dhe e mohoj, që të harroj e prap më
kujtohesh njësoj, si në janar ashtu edhe në qershor!
Balona ngjyrë plot merr harkun e ëmbël të destinacionit final dhe sytë më lëshojnë xixa lumturie. Me vrull zbres dyerve të saj. Jam duke ndjekur zemrën, u nis në këmbë para meje për të ardhur tek
ti, sepse dhjetori po vjen prap dhe ajo do të rikthehet në shtëpi…
Comments
Post a Comment