Ka aq shumë shkëlqime dritash e zhurmë të qeshurash këtu sa
edhe sytë më ndizen dritë prej gëzimi!
Në karosel të kuajve rrotullohen gjithë ngjyrat e zemrës, e
gjithë bota rreth dashurisë!
I mbaj sytë tek një kolovarëse që bën ecejake para e pas, më
afrohet fytyra e një vajze të vogël flokë artë veshur në të kaltër, buzëqesh
pas saj, ja fiks këtë pamje ka lumturia!
Me frikë shoh trenin me ulje ngritje si thepisje në zemër,
një djalosh i vogël qerpikë gjatë shtrënguar duart fort në mbajtëse, njësoj kështu
e ka pamjen siguria...
Me kokën ulur bëj hedhje hapash për të mos u penguar ndër
lodra fëmijësh e në cast rrethohem me flluska sapuni të mëdha... Një zonjushë e
veshur në borëbardhë fryn prej saj tullumbacë që në sekondë shpërbëhen në ajër,
diku vetë e diku nga gishtat e vegjël të fëmijëve, e në cast më ngjan njësoj si
frika e largimit, aq duhet, vec një fragment sekondi...
Kapem pas cdo lodre të vogël e rrotullohem nën ajrin e një
melodie të ëmbël në sfond. Fytyrë-qeshurit më vjedhin vëmendjen, bie dhe unë në
grackën e ëmbël të rikthimit pas në kohë. Më shfaqet imazhi yt...
Zhurma e përplasjes së makinave, nën ngazëllim djemsh e
muzikë të fortë ma godet pamjen që si re e bardhë u formësua mi kokë! I ngjan njësoj shpërndarjes së thyer të xhamit kristal,
zhurma që bëri edhe e shkuara jonë... Sfungjerë sheqeri rozë ma ëmbëlsuan dhe njëherë shijen, nën
të ftohtin e hidhur të një vjeshte si kjo.
Lumturisht tërhoqa një biletë për udhëtim hark...
Kishte edhe të tjerë si unë, dikush zgjidhte ngjyrën e një
tjetër nxitonte të ulej...
Një biletë, kaq zotëroja, për ti ardhur dhe njëherë qark jetës
për të mbërritur tek ti.
Një udhëtim në karosel të jetës, ku rrotullohen gjithë ngjyrat e zemrës, dhe gjithë bota rreth dashurisë!
Comments
Post a Comment