Unë e di, ti do kthehesh, e bashkë me ty do vijë në jetë
edhe njëherë jeta ime!
Ti do kthehesh, unë e di, kemi lënë në ajër edhe ditë të
pangopura me diell e netë të heshtura në numërim yjesh!
Gjithmonë më thoje se unë i ngjaj mëngjesit me diell ditën e
shtunë! Plot jetë, ngopur me gjumë e gati për një udhëtim...I ngjaj të shtunës, e veshur në lulëkuqe të fushës, muzikës
që lëshon përtej një kitarë e braktisur në trung peme, lëvizjes së dallëndysheve
për në diell, unë i ngjaj fiks asaj që ti do të shohësh tek unë!
Ndaj unë e di qe ti do kthehesh, sepse vetëm tek unë do
gjesh prap atë qe dikur ta mbushte shpirtin me një përqafim!
Unë të ngjaj ty, kur thua më fal, kur qesh e në një grusht
lule më dhuron gjithë botën!
Ku mund të gjesh tjetër një shpirt që gjendet i shfaqur në
formën e shikimit tënd, ku mund të humbësh i lumtur pa mbajtur në shpatulla
peshën e dhimbjes?!
Nuk i përkas më as vetes që kur jam dehur në ty! Ti ma zbut
shpirtin. Më ëmbëlson vjeshtën. I ngjaj kartolinave veshur në gjethe portokalli
e kunguj cepave të saj. Të duash është vjeshtë, ka përherë një aromë nostalgjie
në të, si shfaqje e mrekullueshme me sytë mbushur në lot, bie cdo gjethe e artë
si perde mbyllëse për duartrokitje!
Ditëve si kjo dua t'i rikthehem më shpesh në dosjen e
fshehur të kujtimeve, me kthimin tënd që ma ngrohu zemrën si një batanije
hedhur krahëve e duarve shtrënguar caj në filxhanë ku kryet mban lart një shkop
kanellë...
Të kam pranë dhe nuk ndjej më mall. E dija që ti do të vije
në një ditë vjeshte tetori. Në atë lloj stine ku pa folur e pa u lutur do të vendosim
në fytyrat e njëri tjetrit një stoli që u rri bukur të gjithëve, buzëqeshjen e
të qënurit të lumtur…
...sa shumë kënaqësi ka brenda një vjeshte!
Comments
Post a Comment