Le t'jua lëmë të tjerëve petkun e mërzisë për ne, ata do të
trishtohen më shumë... Do të thurin mbi ne rrjeta të vogla intrigash e do vënë
në gojën tonë fjalë që ne kurrë nuk i thamë për njëri tjetrin. Do na bëjnë të
urrehemi, e di, fjalë për fjalë do na zhveshin edhe dinjitetin, në helmin e
tyre gjithsesi një ditë do të na dalë zemra në sipërfaqe e prap botës nuk do
tja vëmë veshin, butazi do t'i pikturojmë fytyrës së në thelb ishim vetëm ne të
dy!
Ata nuk na duan, e rast nuk do të lënë pa e ulëritur, por
mos i dëgjo, nuk do mundesha kurrsesi të hidhëroja shpirtin kur dikur flija në
të. Do t'i prisja vetes shiritin e ëmbël të kuq në prag krishtlindje...
Fjongos tonë i humbi forma, por ajo është ende aty, ne
thjesht e braktisëm në mesin e rrugës, e lamë në shi, në diell, në ajër, e ajo
ende ka ngjyrën e saj, ka të njëjtin efekt për syrin, asaj i mungon përkulja
jonë për ta lëvizur prej aty, një rrotullim gishtash e një vallëzim dysh që ti
japim dhe njëherë jetë...
Do të ndodhë një ditë, do të shihemi sërisht, e në duar do të
mbajmë shiritë të tjerë, do të ritakohemi kur të jetë konsumuar e gjitha, hatërmbetja,
urrejtja, hidhërimi, trishtimi, prehja në zemra të tjera e premtimi në fytyra të
reja, kur të jemi aq larg sa afërsia të na shembë të gjitha këto në një shtrëngim
të fortë përqafimi...
Dhe gjithcka të lindë përsëri, edhe njëherë, edhe njëqind
herë prap unë edhe ti!
Do të flasin për ne, ndoshta edhe do të na urrejnë, fytyrës do
të na shfaqin copëz buzëqeshje e në kthim të shpinës do të pëshpërisin vrer. Ata
do të flasin për ne, se si u takuam prap, se si zemrat e njohën veten dhe njëherë,
e se si guxuam...
Butazi, në një puthje sërisht do t'u themi se në thelb kishim
qënë vetëm unë dhe ti... Dhe gjithcka lindi përsëri, edhe njëherë, edhe njëqind
herë, prap unë edhe ti!
Comments
Post a Comment