Kisha njohur disa lloje vjedhjesh, po si ajo e mbremshmja
jo, ma shkule prej kraharorit zemrën e nuk vrapove të ikje, ngadalë hidhje hapa
e unë e lumtur në dehje të ndiqja me sy ndërkohë që ti largoheshe...
Në rrugë flinin heshtur gjithë zhurmat e një qyteti, vetëm
unë thyeja natën me kërcitjet e hapave. Me lodhje, hidhja këmbët që mezi
prisnin të ndalonin, e rruga ngjante se s'do të përfundonte kurrë!
Unë ika, dhe ktheva kryet për të parë nëse arrija të dalloja
hijen e ikjes tënde, ndalova dhe qesha me shpirt, ndeza drita në apertamentet përreth,
u zgjuan edhe kafshët që flinin rrugës...
Dogja një grusht më shkëlqim e fishekzjarre m'u ndezën në
shpirt. Përqafuar kisha lumturinë, ndonëse deri dje nuk e njihja se c'formë
kishte, sot e shihja të bukur, veshur kokë e këmbë në tantellë të zezë,
mistike, tërheqëse, grindëse!
U ndjeva plot, si një eden lulesh më gjallëronin mendimet
derisa këmbët më cuan në pragun e derës së shtëpisë.
Gjumi kish ikur nga unë! Nuk isha më preja e tij, kushedi
c'shtrat kish zaptuar mbrëmë. Kisha tretur shikimin drejt e me hënën. Si prift
i rrëfehesha kësaj rradhe për asnjë mëkat, vetëm si fajtore e pyesja naive: e
meritoja? Ajo mori një formë buzëqeshje, e në rrumbullakësinë e saj, më
ngjau se lot gëzimi rrëshkitën drejt e në të thatën tokë!
Më qeshën sytë! Zonjusha e veshur në tantellë të zezë, hoqi kapësen e saj e gjithë fijet e flokut të gjatë e të pathënave ndër yje u lëshuan mbi supet e brishta të ndjesisë!
Comments
Post a Comment