Si t'ja bëjmë të duhemi? Jo si atëherë jo, të duhemi tani, sot.
Më thuaj kush e ka sekretin e kësaj dileme që m'a mundon shpirtin? Se në fund të
gjithë lumturinë kërkojmë... E të gjithë në fund jemi të thyeshëm!
Jemi kaq delikatë, prej ajri e prej qelqi e kemi zemrën, lëkurë e fytyrë, jemi të dobët, na
dhemb loti, derisa rrokulliset e bie si pikëz shiu në xham që kërkon pendimet e
shkuara! Ka copëza që nuk bëhen bashkë, po nuk ka njerëz të tillë…
Ka njerëz si ne, që dikur u grisën e copat u munduan ti
arrnjonë me jetë të tjera, nuk i shkonin as ngjyrat as format, as peu që i bëri
bashkë! Ka brryla të qepur bukur në xhaketa vjeshte, ka xhepa të stisur që
mbajnë brenda celësa zemre, ka edhe njerëz si ne!
Ne thyhemi. Na duhen jastikë të butë të na prehet shpirti,
fjalë e premtime të mbajtshme, duar për një shtrëngim e krahë për një përqafim...
Ne duam, duam ashtu butë e fort, herë deri në dhembje e herë
na dhemb heshtja prej frikës se gabime do të themi. Herë të tjera qëllon të
duhemi njësoj e asnjëherë të mos e duam veten më shumë se kaq!
Po sot, si t’ja bëjmë? T’i hidhemi njëri-tjetri përqafuar në
përplasje shpirtrash derisa kraharori të kërcasë fort nga zhurma e grimash të na
bëhen zemrat…
Të ulemi të dy, aty përtokë, duke formuar jetët e njëri tjetrit në
ngjyrë të kuqe!
Lëkurë e fytyrë, ndjesi e shpirt, jemi të thyeshëm! Lëri xhamat
mënjanë, janë copa që nuk ngjiten më…zemrat po!
Comments
Post a Comment