Unë skam fuqi të të dua, se nuk dua, jo se nuk di!
Nuk kam forcë të jem sa ti, se nuk mundem, se do të bëja të njëjtat
gabime përsëri!
Në atë grusht ore të mbledhur për ty, do gjeja shtegun e parë të
arratisesha përtej vetes, duke vrapuar të përplas dyert fort e të mos kthej
kryet as në trokitjen tënde!
Sa të shtrenjtë e kam lumturinë time pasi njoha hidhërimin e të tjerëve.
Në thesin tim kam mbyllur një shpirt të madh, edhe zemrën e kam mbështjellë
mirë, brënda vetes nuk kam ngritur mure, kam vendosur kufinj. Po të isha ti, do
ikja nga unë…
Nuk dua të dua përsëri, kam frikë se dikush do më vjedhë prap mendimin,
e kjo më largon me botën. Ma kthen të prekshmen në venitje të ngadaltë. Kam
frikë ta rrezikoj dhe njëherë zemrën në kafaze dyer mbyllur, ku sytë do shihnin
vetëm drejt teje. Është shumë e madhe bota për ta mbajtur lumturinë të vogël.
Kam frikë se do të të lë vetëm!
Kam frikë se do të të lëndoj!
Do të të them se nuk ndjej asgjë e në boshllëkun që do të lë midis
nesh, ai sekond, ty do të ta ndrydhe shpirtin, si helm gulcuar në stomak do të të
vijnë fjalët e mia.
Nuk dua të ndihem e sigurtë kur ti të jesh perreth, nuk dua të jap ty, atë që është e ndërtuar
prej dështimeve, nuk dua të më duash! Po të isha ti, do ikja nga unë…
Sepse unë nuk mbaj mënd fytyra, unë njoh zemra. Sepse unë nuk kam frikë
nga fjala që jap, po i druhem tmerr asaj që nuk mbajnë! Sepse vetes, ja di të
gjitha, ndaj them se streha më e mirë, është të jem larg!
Nuk dua që ti ta ndjesh, se po më humbet, as lëndimin e pa-formë që do
të vuash! Unë nuk dua të më duash, derisa unë të kem gjetur dhe njëherë rrugën
e kthimit për tek ti! Dhe më beso, unë do të të gjej!
...do të të gjej kur në fillim të kem tretur gjithë cka mbetur prej
dikur!
Kur të jem zhveshur prej frikës se ti më bën dëm, e të jem zgjuar atë mëngjes
duke i hapur kanatet e jeshilta, fluturave që i mbaj peng në shpirt!
Comments
Post a Comment