E kam të shtrenjtë mëndjen! Po ka momente që fjalët të mbeten aty, nuk e gjejnë gjëkundi rrugën të dalin në sipërfaqe e të marrin formë për t’u bërë të efektshme. Këtu kam ngecur, më është bërë një lëmsh me fjalë, si trafik pa polic, një kaos i vërtetë. U ula me veten ballë përballë, unë djathtas ajo djathtas, unë majtas ajo majtas, gjysma e të keqes, vazhdojmë të jemi në një linjë, unë ngrija dorën, ajo po ashtu. Na mbeti vetëm t’i shtrëngonim dorën njëra-tjetrës prej pasqyre e ti rreshtonim ato përshëndetje varg por në fakt më shoqëroi vetëm një fytyrë më sy picërruar e buzë-mbledhur, Ka dy momente kur fjalët humbin rrugën, ose kur je në majat e lumturisë dhe stërkalat e saj kufizojnë cdo nisje, ose kur ke prekur fundin prej trishtimit e fjalët nuk zënë më vënd! Në fakt unë jam tek hapësira e cunguar e lumturisë në shtratin bosh të bërë rrëmujë. Jam tek cdo mirëmëngjes i munguar, tek cdo fjalë që ende nuk më kishin thënë, tek cdo përqafim që ndoshta mund të ma kishin dhënë...