Do t’ju them një gjë personale!
Unë vdes të “zhdukem” herë pas
here, PO, të iki nga rutina e përditshme, të gjej një qoshkë të fus kokën e mos
të dëgjoj c’bëhet përtej. Me thënë të
drejtën përherë ja arrij! Doemos pas qindra aplikimesh që bëj online për
trajnime të ndryshme, madje 1 në 3 nuk ka aspak lidhje me profesionin apo punën
që unë bëj aktualisht, po pse jo them, ta provoj njëherë, më kënaq fare ajo
adrenalina e plotësimit të formularëve, nuk më kuptoni ju e di unë…
I adhuroj shëtitjet vetëm. Nuk
ndjej fare një presion për të mbajtur të gjallë një bisedë. Dhe ka dicka lidhur
me lëvizjen vetëm, më ndihmon shumë të mendoj pastër , për të ngarkuar ide me
inerci të trupit, për të kryer një ndjenjë përmes distancës dhe pritshmërisë së
asaj që dua të arrij.
Këtë lloj “droge” për veten e kam
kuptuar në udhëtimin tim para thuajse 6 vitesh ne Trieste, fillimisht mendova
se do të cmëndesha kur pashë veten në mes të një qyteti fillikat, dhe kam
fjetur aq herët sa jam zgjuar që në orën 5 të mëngjesit si një buf që ndodhet
mes 4 mureve dhe ska asgjë për të bërë përvecse të shohë!
Ajo ditë, e cdo ditë pas saj, do
ti vinte vulën asaj që realisht unë paskam kërkuar duke mos e ditur se sa shumë
vlente! Kam shëtitur cdo cep rruge, kam fotografuar rrugica mbushur me motorrë
tipikë, kam vjedhur me sy stilin e pastër dhe të kuruar të cdo italianeje, kam
ngrënë pastat më të mira dhe kam shijuar verën në portin që shkëlqente prej
dritave të jahteve! Të gjitha këto, vetëm! E shpirtin mbushur plot njëkohësisht…
Kam mësuar kush isha dhe kush dua
që të jem, ajo që unë mund të guxoj të ëndërroj për botën time dhe veten time.
Më fuqishëm dhe në mënyrë më bindëse se sa nga "këshillat e të gjithëve”,
kam mësuar dallimin në mes të mirës dhe të keqes, të drejtës dhe të gabuarës.
Një rrudhë në kohë më përshkroi edhe një gabim, por ekziston një dimension
tjetër nga ajo që konsiderohet pësim, është harmonia me veten. Atje ishte zgjuar,
dhe aty ishte duke fjetur, i gjithë pasioni im për zhdukjet e vogla. Një univers
në të cilin unë mund të jem një njeri i panjohur, por kurrë nuk mund të jem një e huaj. Sepse i përkas botës
time të vërtetë, ishullit tim të përsosur!
Ka momente në jetë kur të duhet të
ngresh një valixhe, për ta zbrazur diku tjetër e për të mos marrë me vete
mbrapsht “gjërat e konsumit”, ka ditë ku me duart kryq thua ndërkohë që
mbushesh me frymë se të duhet një pushim, ku gjëja më e lehtë në ato momente është
të paketosh!
Desantila
Comments
Post a Comment