Ka një pikë në jetën e njeriut ku logjika hesht, ku llogaritjet shkërmoqen, ku fjalët e të tjerëve bëhen pluhur mbi supet e vullnetit. Aty fillon guximi. Ai nuk lind në siguri, por në tronditje. Është drithma e parë përpara një vendimi që të tejkalon, një hap që nuk të premton kthim, një shikim drejt së panjohurës që nuk kërkon garanci, por përkushtim. Guximi nuk është armaturë, është zhveshje. Nuk është të nisesh i sigurt, por të ecësh edhe kur nuk e di se ku po shkon. Dhe në mënyra që nuk mund t’i shpjegojmë kurrë me logjikën e botës , fati pikas zemrat që rrahin ndryshe . Ai rrallë ndihmon të përgatiturit. Më shpesh ulet në tavolinë me të cmendurit që guxuan të ngrenë një gotë në ajër dhe të thonë: “Pse jo?” Guximi është virtyti që s’ka nevojë të bëjë zhurmë. Ai nuk shpallet, nuk vishet me parrulla, nuk kërkon duartrokitje. Është si rrënja që depërton tokën, në heshtje, duke kërkuar dritën. Nuk shfaqet gjithmonë në beteja të mëdha, por shpesh në veprime të vogla me peshë të j...